Lajme

Reuters: Kosova paguan çmim të lartë shëndetësor për energjinë e lirë të qymyrit

Termocentrali, Obiliq

“Reuters” – një nga agjencitë më të mëdha të lajmeve në botë, i ka kushtuar një artikull termocentraleve në qytetin e Obiliqit dhe problemeve shëndetësore më të cilat përballen banorët e kësaj ane për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit, transmeton Shqip.com.

“Reuters” sjell rrëfimin e Skender Smajlit, 64 vjeç, për të cilin thotë se kalon 15 orë në ditë në një tub oksigjeni pasi mjekët i thonë se vuan nga sëmundja kronike pulmonare e shkaktuar nga dekada ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit që vjen nga fabrikat e vjetra me qymyr.

Smajli jeton në një fshat jashtë qytetit të Obiliqit të Kosovës, vendi ku ndodhen dy termocentralet me qymyr të cilat janë pjesërish fajtore për emetimet e ngrohjes së planetit që shkaktojnë ndryshime klimatike.

Duke kujtuar ditët e tij në punë para se të detyrohej të tërhiqej para kohe për shkak të aftësisë së kufizuar, Smajli tha se atij dhe kolegëve “u duhej të pastronin furrat ku digjej qymyri, në temperatura të larta dhe me shumë pluhur dhe hi”.

Besim Morina, mjek pulmonolog që ka trajtuar Smajlin, tha se ishte diagnostikuar kryesisht me sëmundje pulmonare obstruktive kronike në të cilën puna e tij në termocentralin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) “ishte faktori kryesor”, si dhe të jetuarit afër saj.

People are pictured at a bus stop near a power plant north of Kosovo's capital, Pristina, near the town of Obilic, Kosovo, October 28, 2021. Picture taken October 28, 2021. REUTERS/Laura Hasani
Foto: REUTERS

“Shumica e miqve të mi (në uzinë) kanë vdekur nga kjo”, tha Smajli mjekërbardhë, i cili gjithashtu ka sëmundjen e Parkinsonit.

Sipas “Reuters”, Kosova krenohet me një nga tarifat më të lira të energjisë elektrike në Evropë, me vetëm gjashtë cent euro për kilovat orë (këh), një trashëgimi e së kaluarës së saj socialiste në Jugosllavinë e vjetër federale dhe më pas në Serbi deri në pavarësinë në vitin 2008.

Por ambientalistët thonë se kostoja aktuale është shumë më e lartë kur merren parasysh efektet në shëndetin publik të termocentraleve të vjetruara me qymyr.

Në një raport të vitit 2019, Banka Botërore tha se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë, një vend i vogël ballkanik, i privuar ekonomikisht prej 1.8 milionë banorësh.

“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, tha Haki Jashari, drejtor i shërbimit të ambulancës në Obiliq.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që përbëhen nga republikat ish-jugosllave dhe Shqipëria po ashtu mbështeten shumë te qymyri për energji, por do të duhet ta zvogëlojnë në mënyrë dramatike këtë varësi si kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian për të cilin aspirojnë.

Rajoni është i pasur me linjit, një qymyr i butë, përmbajtja relativisht e ulët e energjisë e të cilit përkthehet në ndotje veçanërisht toksike kur digjet. Kosova ka rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë prej 12-14 miliardë tonë, tregojnë shifrat zyrtare.

Në fillim të këtij muaji, Komisioni Evropian i kërkoi Kosovës, e cila prodhon më shumë se 90 për qind të energjisë elektrike të saj në dy termocentralet e Obiliqit, të heqë dorë nga varësia në “furnizimin me energji të rrezikshme për shëndetin” – nga qymyri.

Ndërmarrja shtetërore KEK nuk iu përgjigj kërkesës së “Reuters” për koment. Ambientalistët thonë se Kosovës do t’i duhet mbështetje financiare e BE-së për t’u kthyer në energji më të pastër.

“E ardhmja e qymyrit është nën tokë,” tha Besfort Kosova, nga Balkan Green Foundation. “Sipas të dhënave tona, njerëzit (që jetojnë në zona të kontaminuara) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit.”/SHQIP.com