Lajme

Lajmi i fundit / Nis faturimi i rrymës në Veri

Nis faturimi i rrymës në Veri / Fotografia ilustruese
Nis faturimi i rrymës në Veri / Fotografia ilustruese

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës ka filluar shpërndarja e faturave të energjisë elektrike. Kështu ka njoftuar kompania për furnizim me energji elektrike në veri, “Elektrosever”.

Qytetarët e intervistuar serbë thonë se tani e tutje do ta paguajnë energjinë e shpenzuar.

Nga “Elektrosever” kanë njoftuar se qytetarët e katër komunave veriore do të faturohen paushall, prej 21 eurosh e 60 centë.

“Me pagesën e një shume prej 21.60 euro, Marrëveshja e Furnizimit me kompaninë “Elektrosever” do të konsiderohet e lidhur. Zyrtarët e Elektroseverit do t’ua sjellin qytetarëve për nënshkrim Marrëveshjet për Furnizimin me Energji Elektrike”, thanë për RTK-në nga “Elektrosever”.

Edhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji kanë konfirmuar se faturimi ka filluar, ndonëse nuk kanë ende të dhëna të sakta se sa është numri i konsumatorëve që u janë shpërndarë fatura.

“Leximi i njësorëve është bërë më herët. Për faturimin ne e kemi pasur një takim dhe ata na kanë thënë që i kanë disa probleme të vogla meqenëse është leximi i parë dhe duhet të kenë kujdes”, kanë deklaruar nga ZRRE.

Kjo është hera e parë që pas më shumë se dy dekadave, banorët e këtyre komunave po faturohen për energjinë e shpenzuar, pasi e njëjta deri në vitin 2017 u kishte rënë në barrë qytetarëve të komunave të tjera.

/Shqip.com