Çështja e dinarit / Krasniqi: Opozita s’është kundër vendimit, por duhet koordinim me aleatët

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka thënë se çështja e dinarit është shqetësuese, pasi, sipas saj, është një çështje e brendshme e Kosovës, nuk duhej të diskutohej në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Ajo ka theksuar se partitë opozitare e mbështetin vendimin, por se janë kundër mosdakordimit me aleatët ndërkombëtarë për rregulloren e re të BQK-së, për ndalimin e dinarit serb.
“Ne nuk jemi kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), jemi kundër asaj që nuk është dakorduar vendimi me ndërkombëtarët. As aleatët nuk janë kundër vendimit, pasi janë po të njëjtit njerëz që mbas luftës këta na kanë hequr dinarin, na kanë sjellë euron, prapë jemi dakorduar me ta”, ka deklaruar Krasniqi, transmeton Dukagjini.
Deputetja ka thënë se opozita e ka përkrahur vendimin e BQK-së, duke e vlerësuar si të drejtë dhe të ligjshëm.
Megjithatë, ajo ka shtuar se nuk duhej që çështja të bëhej pjesë e dialogut në Bruksel, por duhej të trajtohej brenda institucioneve të vendit.
“Opozita e ka përkrahë këtë vendim, sepse është i drejtë dhe i ligjshëm, por nuk është dashur të bëhet pjesë e dialogut, brenda institucioneve tona me shku me dialogu me u marrë vesh në Bruksel, është dashur që kryeministri Kurti me u ulë me u dakorduar fillimisht, më pas të merret vendimi. E kemi thënë se nuk jemi kundër vendimit, por kundër asaj që nuk është dakorduar me aleatët”, ka deklaruar Krasniqi.
/Shqip.com