Lajme

Hani i Elezit nuk shkon në rivotim, Mehmet Ballazhi i PDK-së kryetar i ri

Mehmet Ballazhi

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që Hani i Elezit të mos shkojë në rivotim.

Sipas vendimit, kjo komunë në katër vitet e ardhshme do të udhëhiqet nga Mehmet Ballazhi i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Është refuzuar si e pa bazuar pjesa e ankesës së kandidati për kryetar të komunës në Han të Elezit, Rufki Suma, kandidat i pavarur, me të cilën ka kërkuar që të anulohet Procesi i Votimit për Zgjedhjet Lokale të datës 17 tetor, vetëm për kryetar komune, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit m qëllim të përfitimit të mbështetjes së votueseve”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Por, PZAP, ka pranuar pjesërisht ankesën e Rufki Sumës, dhe Partisë Demokratike të Kosovës me seli qendrore në Prishtinë, i është shqiptuar dënim me gjobë prej 10 mijë e 100 euro.

Me arsyetimin “për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, me rastin e thyerjes së heshtjes zgjedhore për zgjedhjet e 17 tetorit”.

PZAP, detyron PDK-në që gjobën e shqiptuar ta paguajë në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit t këtij vendimi, nën kërcënimin e dënimit shtesë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pati marrë vendim që të anulojë zgjedhjet në komunën e Hanit të Elezit. Partia Demokratike e Kosovës pati dërguar ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për anulim të zgjedhjeve për kryetar të Hanit të Elezit. Më 22 tetor Supremja kishte konfirmuar se ka nisur hetimet për këtë komunë.

Ballazhi i PDK-së doli fitues me 50.98 për qind të votave të përgjithshme, ndërsa Suma i dyti me 42.47 për qind të votave./SHQIP.com

Image