Tahiri për refuzimin e gazsjellësit amerikan: Kemi të dhëna shqetësuese për këtë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se të dhënat që i kanë si grup parlamentar për refuzimin e gazsjellësit amerikan në Kosovë janë shqetësusese, përcjell Shqip.com.
Në një konferencë për media, pas dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri tha se qeveria ka qenë e pasaktë dhe nuk ka dhënë asnjë argument për refuzimin e këtij projekti që “po dëmton marrëdhëniet bilaterale Kosovë – SHBA”.
“Qeveria ka qenë jashtëzakonisht e pasaktë, nuk ka dhënë asnjë argument, të dhënat që i kemi si grup parlamentar janë shqetësuese dhe mbi të gjitha janë të dëmshme për Kosovën dhe me urgjencë duhet të kthehet ky vendim sepse si i tillë po i bën dëm Kosovës, si nga alternativat e energjisë po ashtu edhe marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA”, tha Tahiri.
Po ashtu, Tahiri ka folur edhe për dështimin e mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë ku thotë se nuk ishte e qëllimshme.
Por, ai thotë se debati për anulimin e projektit për gazsjellësin amerikan duhet të mbahet sa më shpejtë.
“Nuk e konsideroj të qëllimshme pasi nuk kishte mungesë vetëm nga Vetëvendosje, por edhe nga partitë e tjera. Për ne si grup parlamentar është jashtëzakonisht me urgjencë që të ndodhë debati parlamentar”, është shprehur Tahiri./SHQIP.com