AKR kërkon rinumërim të votave në Prishtinë: Jemi dëmtuar
Gëzim Mehmeti, kandidati i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës ka kërkuar rinumërim të votave në kryeqytet.
Këtë e ka thënë gjatë një konference për media, teksa ka theksuar se AKR “është dëmtuar 1 apo 2 për qind”.
“Disa individë kanë abuzuar me këto zgjedhje, dhe AKR-ja është dëmtuar me 1.2%. Ne kemi prova dhe edhe pse nuk janë rezultatet preliminare, po ju jap disa shembuj ku është abuzuar me votat e partisë tonë”, tha Mehmeti, duke deklaruar paraprakisht se qytetarët kanë treguar kulturë të lartë të zgjedhjeve”.
Gjithashtu tha se provat do t’i paraqesin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Kërkesa jonë është që në Prishtinë te të gjitha vendvotimet të shkojnë në rivotim duke pasur parasysh provat që kemi. Ne si subjekt politik do t’i paraqesin provat tona në PZAP, por edhe ankesa individuale. AKR-ja, pra, kërkon rinumërim të votave në të gjitha vendvotimet”, pohoi Mehmeti.

Në Prishtinë do të ketë balotazh ndërmjet Arben Vitisë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Përparim Ramës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Vitia doli i pari me mbi 42 për qind të votave apo rreth 11 mijë vota më shumë se Përparim Rama.
Balotazhi zhvillohet më 14 nëntor. /Shqip.com