Profesori amerikan: Ballkani është ngritur në listën e prioriteteve të administratës Biden

Rajoni i Ballkanit është ngritur në listën e prioriteteve të administratës amerikane, ka thënë Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian duhet të bashkojnë forcat për zgjidhje të mosmarrëveshjeve në rajonin e Ballkanit, “në mënyrë që të mbajnë larg ndikimin e Rusisë dhe Kinës”.
Ka theksuar se Christopher Hill, i nominuari i presidentit amerikan, Joe Biden, për ambasador në Serbi, është njeri me përvojë të jashtëzakonshme në Ballkan dhe nam të madh në Uashington, si dhe me shumë peshë në qarqet diplomatike.
“Nuk jam i befasuar që Departamenti amerikan i Shtetit ka emëruar diplomatë shumë të talentuar dhe me përvojë për këto pozita, për dy arsye. Njëra është që vetë presidenti (amerikan, Joe Biden) është i interesuar për Ballkanin. Ai ka qenë i përfshirë në rajon për dekada. Një nga udhëtimet e tij të fundit, sa ka qenë nënpresident, kanë qenë në Prishtinë dhe Beograd. Ekziston një rrugë që është në emër të djalit të tij në Kosovë”, është shprehur për REL-in Kupchan, njëherësh profesor në Universitetin Georgetown në Uashington.

“E dyta ka të bëjë me implikimet nga rritja e Kinës. Rritja e Kinës, në disa mënyra përbën temë kyçe gjeopolitike të kohës sonë. Mirëpo nëse dikush pyet se cilat janë prioritetet rajonale, mendoj se Ballkani është ngritur në listë, kryesisht për shkak të punëve të papërfunduara të komunitetit atlantik. Mendoj se ndarja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë, ka krijuar disa efekte politike, të cilat nuk janë përfunduar ende”.
Profesori amerikan beson se “e di si përfundon kjo gjë”.
“Kjo çështje përfundon me integrimin e plotë të rajonit në institucione atlantike. Vetëm se nuk e dimë kur do të ndodhë kjo gjë. Mendoj se administrata Biden do ta bëjë këtë gjë prioritet”, tha Kupchan./SHQIP.com