Armët e gjata me te cilat u pajis sot Policia e Kosovës janë prodhim i Kroacisë
![](https://shqip.com/app/uploads/2024/01/418874233_847019527434325_8642985860435926906_n-1.jpg)
Kreu i MPB-së, Xhelal Sveçla, sot bashkë me Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë pritur në Aeroportin e Prishtinës ngarkesën me armë të gjata, me të cilat nga sot, do të pajiset secila patrullë e Policisë së Kosovës.
Ngarkesa me armë nga Zagrebi për në Prishtinë është bërë me një aeroplan “Antonov” që i përket një kompanie ukrainase të fluturimit e quajtur “Cavok Air” me seli në Kyiv.
Sipas “Flight Radar”, aeroplani ishte nisur nga Zagrebi në orën 11:00 dhe ka zbritur në Prishtinë në orën 12:55.
![](https://shqip.com/app/uploads/2024/01/image-46-1-1024x155.png)
![](https://shqip.com/app/uploads/2024/01/image-47-1-1024x201.png)
Armët e gjata të cilat janë blerë nga Qeveria e Republikës së Kosovës e me të cilat tashmë do të jenë të pajisur secila patrullë e Policisë së Kosovës janë prodhim kroat i kompanisë “HS”, raporton Gazeta Express.
Lloji i kësaj arme të gjatë sipas paketimit që mund të shihet në fotografitë e publikuara nga Sveçla është VHS-2 e cila ka një kalibër 5.56. Lloji i kësaj arme ka dy versione. Një është VHS-2D 500 mm me rreze efektive deri në 800 m dhe VHS-2K 410mm standarde.
![](https://shqip.com/app/uploads/2024/01/image-48-1-1024x463.png)
Këto armë vijnë Kosovë një ditë pasi u bë publike se Kosova ka porositur blerje të antitankëve “Javelin” për FSK’në në SHBA.
/Shqip.com