E rëndë në Vlorë/ Ekzekutohet me snajper një 22-vjeçar, u qëllua në banesën e tij nga godina përballë

Vrasje me snajper në qytetin e Vlorës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri” në orët e mbrëmjes së kësaj të diele. Viktimë e këtij atentati mafioz ka mbetur Gëzim Sinomati, 22 vjeç, i sapokthyer nga Belgjika.
Ai është qëlluar me armë zjarri tip snajper nga jashtë banesës, duke e lënë të vdekur në vend.
Dëshmitarët bëjnë të ditur se kanë parë një person të largohej qetësisht nga një pallat përballë.
Ndërkohë që forca të shumta policie si forcat RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe DELTA Forcë janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 22:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar dyshohet me armë zjarri shtetasi G. S., 22 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit, si dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative, me qëllim kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.
Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Delta Forcë.
/Shqip.com