Lajme

Pak mbështetës para Parlamentit, Berisha shpërndan protestuesit

Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpërndarë protestuesit pas fjalimit që mbajti në podiumin e ngritur para godinës së Parlamentit. Pavarësisht nga thirrjet për pjesëmarrje masive, Berisha nuk ka arritur të mbledhë numër të lartë mbështetësish edhe në protestën e sotme, e dyta radhazi pas asaj të ditës së hënë te Kryesia e Kuvendit.

Fjalimi i Berishës ka zgjatur disa minuta, ndërsa në mbyllje ai ka ecur në këmbë në drejtim të selisë së PD të Rithemeluar.

Në fjalën e tij, Berisha tha se heqja e imunitetit është vendim i paligjshëm i Kuvendit dhe synon godasë opozitën.

Më herët Kuvendi votoi me 75 vota pro heqjen e imunitetit të deputetit, duke autorizuar kështu SPAK për t’i komunikuar atij ashpërsimin e masës së sigurisë.

Prokuroria e Posaçme kërkoi masë sigurie arrest në shtëpi, pasi Berisha refuzoi 4 herë të zbatonte masën detyrim paraqitje të caktuar nga GJKKO.

Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e kompleksit “Partizani” ku sipas hetimeve të SPAK procedura e ndjekur atëherë nga Berisha është bërë në funksion të përfitimeve të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

Në truallin e ish-kompleksit Partizani janë ndërtuar 19 objekte banimi nga Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi.

Nga ana tjetër, Sali Berisha rrëzon pretendimet e SPAK duke argumentuar se tjetërsimi i destinacionit të klubit Partizani është bërë konform ligjeve në fuqi, ndërsa përfituesit janë trashëgimtarët legjitimë të pronës, përfshirë edhe Malltezin.

/Shqip.com