Hoxha: Janë parandaluar 50 gara ilegale në të gjitha rajonet

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka prezantuar disa të dhëna mbi aksidentet që kanë ndodhur gjatë vitit 2023.
Hoxha ka thënë se nga 103 persona të vdekur gjatë periudhës 1 janar-18 dhjetor, 46 nga personat e vdekur në aksidente kanë qenë shoferë, 29 persona kanë qenë këmbësorë dhe 28 kanë qenë pasagjerë.
Hoxha ka thënë se më së shumti të vdekur në aksidente ka pasur në muajin korrik, 18 persona, kurse nga 1 prilli, ka nisur zbatimi i planit operativ “Parandalimi i garave të shpejtësisë me automjete”.
Sipas tij, që atëherë janë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrësit, 10 automjete janë konfiskuar edhe janë parandaluar 50 gara ilegale në të gjitha rajonet.
“Këto janë masat që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës me qëllim parandalimin e garave. Njësia e kontrollit të autostradave ka hartuar planin operativ “Parandalimi i garave të shpejtësisë me automjete”, i cili ka filluar të zbatohet më 1 prill. Në kuadër të këtij plani, Njësia e kontrollit të autostradave dhe drejtoritë rajonale të Policisë, kanë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrës në këto gara, ka konfiskuar 10 automjete dhe ka parandaluar rreth 50 gara ilegale në të gjitha rajonet e Kosovës”, ka deklaruar Hoxha.
/Shqip.com