Lajme

Vritet një 41-vjeçar në Fier, policia në ndjekje të autorit (FOTO)

Një 41 vjeçar u ekzekutua sot paradite në qytetin e Fierit. Viktima, i identifikuar si Elton Javori, 41 vjeç banues i këtij qyteti, u ekzekutua rreth orës 11:00 teksa zbriste nga makina e tij “Porsche Cayenne” pak metra larg banesës së tij në lagjen ‘16 prilli’ në Fier.

Autori është identifikuar si Agim (Agli) Gashi, 35 vjeç (personi në foto) i cili pas krimit është larguar me një makinë tip “Benz” ngjyrë gri.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur kur viktima ka zbritur nga makina, gati 100 metra afër banesës ku jetonte. Policia rrethoi zonën me shirit ndërsa ekspertë të policisë në vendin e ngjarjes po punojnë për mbledhjen e provave.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se viktima është vrarë me pistoletë për motive të dobëta, për shkak të një krushqie të prishur.

Elton Javori rezulton të jetë nipi i Medi dhe Demir Backës, të vrarë në vitet 1997 dhe në 2021. Medi Backa, i njohur si anëtar i bandës së Fierit u vra në 1997 në Masakrën e Levanit.

Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit.

/Shqip.com