Mori peng dhe vrau 14-vjeçaren në Maqedoninë e Veriut, arrestohet Ljupço Palevski-Palço

Ljupço Palevski-Palço, i cili dyshohet për pengmarrjen dhe ekzekutimin e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe të berberit të moshuar Pançe Zhezovskit nga Veleshta, është arrestuar.
Në një dalje të jashtëzakonshme para mediave, ministri i MPB-së, Oliver Spasovski njoftoi se Palço është arrestuar në Balikesir të Turqisë.
Ai tregoi edhe fotografi të lëshuara nga autoritetet turke gjatë momentit të arrestimit.
Spasovski falënderoi MPB e Turqisë për reagimin e shpejtë dhe bashkëpunimin shumë korrekt.
Gjithashtu, sonte është arrestuar edhe një 46-vjeçar nga Shkupi, i cili sipas prokurorisë e ka transportuar Palevskin përmes Bullgarisë për në Turqi, duke e ndihmuar kështu të arratiset nga vendi.
Maqedonia e Veriut kishte nxjerrë urdhërarresti ndërkombëtar për Ljupcco Palevski-Palço i cili pas krimit tronditës ishte larguar në drejtim të Beogradit nga ku kishte humbur gjurmët.

Në skenarin makabër të vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska ka qenë i përfshirë edhe babai i saj. Autorët kanë patur për qëllim pengmarrjen e të miturës në mënyrë që t’i kërkonin një shumë parash nënës së saj.
/Shqip.com