Lajme

Përlotet babai i Naimit: Po ta dija që e kishte vrarë Liridonën im bir, ai sot s’do ishte gjallë

“Po ta dija që e ka bërë djali im, ai sot nuk do të ishte gjallë”. Kjo është deklarata e parë nga familja e Naim Murselit, porositësit të vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, me të cilën kishte dy fëmijë.

Shaban Murseli, babai i Naim Murselit në një intervistë për mediat në Kosovë shprehet se Liridonën e ka dashur më shumë se vajzat e tij.

Besoni as me Naimin as me avokat, s’kam komuniku mo, se Liridonen e kom dasht ma shumë se vajzat e mija.”

Ai tregon si e mësoi lajmin tragjik teksa ishte në Suedi, prej ku ka udhëtuar me urgjencë me automjet.

Unë diku rreth orës 8:20 por sa kam hyrë në shtëpi në Suedi, me ka thirr djali i dytë edhe veç me kanë thënë ‘Babë, e kanë vra Liridonën’. Aty plasi vaji. Liridonën e kemi dashtë më shumë se fëmijët e mi. Kemi udhëtuar 35 orë. Gjatë rrugës, unë e kam parë intervistën e dhënë nga Naimi. ‘Na dolën hajnat në rrugë, na i plaçkitën gjërat. Unë ika me fëmijë, gruan ma vranë’. Të vetmin detaj atë e kam pasur. Nuk kisha mundësi edhe me vozitë edhe me përcjellë media”, thotë ai.

Ai shprehet se ndjen dhimbjen e familjes së viktimës, teksa nuk mundet të mbajë lotët gjatë këtij rrëfimi.

Unë jam me ata nuk jam me Naimin, nuk kam pas fytyrë me iu dalë përballë”, thekson ai.

Më tej, ai tregon momentin e përballjes me të vërtetën, duke theksuar se nuk kishte asnjë indicie për të kuptuar se ishte i biri organizator.

 “Jemi ulur në kolltuk së bashku, me një polic derisa po bastisej dhoma e Naimit. Ai më tha, ne kemi prova se Naimi është kryesi i veprës. Aty unë jom trondit. Me ma pas dhanë krejt botën nuk më kish shku mendja që djali im me pas bë atë gjest.”- ka thënë ai.

Ai nuk “kursen” ndëshkimin ndaj të birit, duke thënë se do e merrte ai vetë hakun, nëse do të ishte në dijeni.

Liridona Ademi u vra nga Granit Plavaj, personi që i shoqi i premtoi 30 mijë euro për “ta hequr qafe”.

Dëshmitarë të vrasjes makabre, të inskenuar si grabitje me pasojë vdekjen, ishin edhe dy djemtë e mitur të viktimës.

/Shqip.com