Mehaj rithekson ofertën për krijimin e bazës ushtarake amerikane në Kosovë

Në vazhdim të takimeve në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Pentagon, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj me delegacionin e tij, është pritur në takim edhe nga zv.Asistentja e Sekretarit të Mbrojtjes, Laura Cooper dhe më pas në nivel të delegacioneve kanë realizuar konsultimet bilaterale për çështjet e mbrojtjes.
Me këtë rast, Cooper, ka shprehur konsideratat e larta për zhvillimet në fushën e mbrojtjes, duke falënderuar posaçërisht ministrin Mehaj për “përkrahjen e forcave amerikane në procesin e akomodimit të refugjatëve afganë”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Cooper në emër të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, konfirmoi përkrahjen për Kosovën, si partnere dhe eksportuese e paqes në nivelin global, të dëshmuar edhe me rastin e bashkë-zbarkimit në misionin paqeruajtës përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt, si dhe rolin e madh në nivelin rajonal”.
“Nga ana e tij Ministri Mehaj, e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e lartë Cooper, për përkrahjen e vazhdueshme dhe partneritetin e shkëlqyeshëm duke i shprehur gatishmërinë maksimale për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë, ndërveprueshmërinë ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane, duke vënë theksin në ushtrimet e përbashkëta si dhe mundësitë për bashkë-zbarkime të reja në misione të përbashkëta me Ushtrinë Amerikane”.

Gjithashtu, ministria njofton se Mehaj ka ritheksuar ofertën e Kosovës për SHBA-në për krijimin e një baze të përhershme ushtarake në Kosovë, “për të kontribuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në nivelin rajonal”.
“Ministri Mehaj me Cooper u dakorduan bashkërisht për veprime konkrete sa i përket anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, blerjeve ushtarake përmes FMS (Foreign Military Sale), avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes kibernetike, si dhe rritjen e pjesëmarrjes në misione dhe ushtrime të përbashkëta ndërmjet Ushtrisë Amerikane dhe FSK-së”.
“Tani na mbetet që të gjitha objektivat e përbashkët të angazhohemi t’i realizojmë bashkërisht, me besim e vullnet të plotë, përkushtim dhe angazhim vetëmohues, si dhe qeverisje të mirë dhe transparencë të plotë. Partneriteti me SHBA-në dhe mbështetja e pazëvendësueshme që më është konfirmuar është ngjarje historike për të ardhmen e sigurt të vendit tonë dhe gjithë rajonit”, ka thënë në fund ministri Mehaj./SHQIP.com