Nesër Shqipëri-Ishujt Faroe/ Silvinho: Duam vendin e parë në grup, do bëj ndryshime në ekip. Ndihem shqiptar!

Pas kualifikimit historik për në EURO 2024, kombëtarja shqiptare ndeshet me Ishujt Faroe nesër (20 nëntor) në “Air Albania” në orën 20:45, një ndeshje që shikohet si një finale për objektivin e dytë të trajnerit Sylvinho, që është mbyllja e kësaj faze në vendin e parë në grup, ç’ka do ta ndihmonte skuadrën në shortin e 2 dhjetorit.
“Vijmë në këtë sfidë në kushte shumë të mira. Dua të falënderoj shqiptarët dhe tifozët që na kanë mbështetur dhe kemi arritur këtu. Arritëm kualifikimin, festuam me tifozët dhe u kthyem këtu se kemi menduar vetëm për ndeshjen me ishujt farore, është ekip i vështirë. Objektivi ynë i dytë është të arrimë vendin e parë në grup se do ishte shumë bukur që të kishim mundësi që në short të kishim një mundësi tjetër. Duhet të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe ta mbyllim me fitore”, tha Sylvinho.
Duke folur për rrugën e bërë deri këtu, tekniku brazilian tha se fitorja ndaj Moldavisë ku matematikisht u konfirmua kualifikimi, nuk ishte e lehtë jo vetëm në aspektin fizik pasi skuadra ishte e ngarkuar edhe psikologjikisht.
“Ishte një ndeshje fizike dhe shumë e lodhshme psikologjiksht ajo ndaj Moldavisë. Ishte e vështirë ta bënim gjumin rehat para asaj ndeshjes, por lojtarët e menaxhuan shumë mirë, avash avash. 10 minutat e fundit ishin shumë të vështira, ta ulim ritmin nuk duhet ta bëjmë kurrë. Nuk e njoh fjalën relaks, duhet të kënaqim tifozët. I kemi fituar ndeshjet në shtëpi. Do të shoh gjendjen e lojtarëve në stërvitjen e fundit dhe kështu do ta kem më të qartë panoramën”, tha trajneri.
Sa i përket shortit të dhjetorit dhe kundërshtarëve të mundshëm, trajneri i kombëtares ka besim tek skuadra dhe thotë se ajo ç’ka i intereson është përqendrimin tek sfida e momentit.
“Nuk dihet se ca mund të ndodhë në 6 muaj, kemi gjëra për të vlerësuar. Kemi bërë rrugëtim të rëndësishëm me këtë grup, por puna që ka një trajner është e vështirë sa i përket zgjedhjeve. Duhet gjithmonë të ndryshojë, është i detyruar të ndryshojë, kemi bërë një rrugëtim me këta lojtarë që e meritojnë, 70% janë ata pjesë e grupit dhe që e meritojnë të jenë me ne në europian”, u shpreh Sylvinho.
Trajneri që arriti suksesin e De Biasit duke çuar sërish Shqipërinë në Euro 2024, iu përgjigj edhe pyetjes nëse do shtetësinë shqiptare.
“Unë jam shqiptar, në zemër jam shqiptar. Ai ka bërë një rrugëtim të bukur, kjo e dyta është një ëndërr. Për mua është një nder të jem trajner i kombëtares, diçka shumë e bukur dhe jam i kënaqur”, u shpreh Sylvinho.
Për mesfushorin Keidi Bare, kualifikimi ishte një ëndërr dhe se tani objektivi është vendi i parë i grupit. Ai tha se ky është vetëm fillimi dhe se duhet të mendojnë më lart se thjesht fazën e kualifikimit.
“Nuk ka mbaruar asgjë, kjo është vetëm fillimi për ne. Duhet të ndalojmë këtu ku jemi, e kemi kaluar fazën e kulaifikimit, duhet të mendojmë për më lart. Na pret një ndeshje e rëndësishme të hënën, duam të qëndrojmë në krye të grupit dhe në një të ardhme ti bëjmë gjërat kaq mirë sa i bëmë tani”, tha Bare.
Trajneri tha se deri në nisje të kampionatit europian do të jetë duke vëzhguar rreth 50 futbollistë që mund të ftohen në kombëtare, por shtoi se ekipi përfaqësues do të jetë me rreth 70 për qind të lojtarëve aktualë të cilët e kanë merituar suksesin e arritur.
/Shqip.com