Prezantohej si zyrtar i lartë dhe tentoi t’i merrte 200 000 € një biznesmeni, arrestohet 42-vjeçari

Tentoi të përfitonte 200 000 euro, nga një shtetas (biznesmen), nëpërmjet mashtrimit, duke u prezantuar si zyrtar i lartë, vihet në pranga 42-vjeçari.
Policia ka finalizuar operacioni e koduar “Replay 2” i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit dhe Komisariatin e Policisë Nr. 6, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Sekuestrohet 1 automjet dhe 1 celular.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit Arjan Ballcaj, 42 vjeç, banues në Kamëz.
Ky shtetas ka tentuar të mashtrojë biznesmenin Adi Haxhiymeri, pronar i fabrikës së miellit Prima, për të përfituar shumën 200 000 euro, duke u prezantuar si zyrtar i lartë.
Shqip.com mëson se mashtrimi ishte bërë në emër të Erion Veliajt, kryetar i bashkisë së Tiranës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 automjet dhe 1 celular. Punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/Shqip.com