Lajm i trishtë/ Ndërron jetë foshnja e porsalindur që u gjet e braktisur në bodrumin e pallatit

Ka ndërruar jetë foshnja e cila u gjet e braktisur në një bodrum pallati ditën e djeshme.
Foshnjë e sapolindur ishte lënë e mbështjellë me batanije në bodrumin e një pallati në Yzberisht. Njëri prej banorëve të pallatit dëgjoi të qarat dhe shkoi drejt për të parë çfarë po ndodhte.
Lajmi i trishtë u bë publik nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” , i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim. Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë.” – Taulant Balla.
Nndërkohë nëna e foshnjës që u gjet e braktisur dje në garazhdin e një pallati në Yzberisht është një 30-vjeçare.
Pasi u shoqërua në polici, e reja nga Pogradeci fillimisht mohoi të ishte nëna e foshnjes së braktisur. Mohimin e dijenisë për ngjarjen e mohoi po ashtu edhe nëna e 30-vjeçares. Pas verifikimeve të telefonave celularë të këtyre të fundit, efektivët vërtetuan dyshimet.
30-vjeçarja ka deklaruar se e ka braktisur foshnjen pasi nuk është e martuar dhe e vriste opinioni publik nëse do të kishte një fëmijë jashtë një kurore martese.
Ajo nuk ka folur për babain e foshnjes, dhe ka kërkuar mosidentifikimin e tij.
/Shqip.com