Lajme

SPAK merr në pyetje Ilir Metën për CEZ-DIA: Telenovelë e gjykuar dy herë! Padia nga një kallëzues i rremë dhe i dënuar dy herë!

Kreu i Partisë së Lirisë dhe ish-presidenti Ilir Meta është thirrur në SPAK për aferën CEZ-DIA. Paraditen e sotme, Meta shkoi në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime.

Sipas hetimeve të organeve ligjzbatuese, afera i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 mln euro. Por, ish-presidenti Meta e cilësoi thjesht një telenovelë këtë hetim të SPAK mbi ketë çështje.

Teksa futej në SPAK, ai ka thënë për mediat se kjo është një telenovelë që është gjykuar dy herë, por është rihapur sërish nga një kallëzues i rremë, duke sulmuar Juristin Romeo Kara, i cili bëri kallëzimin në SPAK.

Telenovelën CEZ-DIA. Është telenovelë që është gjykuar 2 herë dhe është rihapur në dhjetor të 2019-ës nga një kallëzues i rremë i cili është dënuar 2 herë nga gjykata për shpifje dhe një herë nga gjykata për dhunë në familje”- tha Meta.

Sakaq, një ditë më parë SPAK mori në pyetje edhe Ilir Kullën, ish-këshilltari i Ilir Metës në Presidencë. Kulla nuk dha detaje për arsyet e thirrjes.

Ndërsa një javë më parë, në SPAK u paraqit ish-këshilltari i Edi Ramës, Dorjan Duçka, i njohur njëkohësisht edhe si person i afërt dhe me lidhje familjare me Metën.

/Shqip.com