Lajme

Deputetët e AAK-së vizitojnë minatorët e Trepçës: Gjendja e tyre alarmante

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot ka vizituar minatorët e Trepçës që janë tash e 10 ditë në grevë.

Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri ka thënë se në këtë situatë veprimi i Qeverisë duhet të jetë i shpejtë e në funksion të shpëtimit të jetës së minatorëve.

“Sonte, si grup parlamentar i AAK-së ishim në vizitë tek minatorët grevistë të Trepçës, ku u informuam për gjendjen e tyre shëndetësore në ditën e dhjetë të grevës”, ka njoftuar Tahiri.

Postimi i plotë:

Kjo grevë është sociale dhe nuk është politike – Qeveri vepro urgjent!

Sonte, si grup parlamentar i AAK-së ishim në vizitë tek minatorët grevistë të Trepçës, ku u informuam për gjendjen e tyre shëndetësore në ditën e dhjetë të grevës.

Nga afër pamë që shëndeti i minatorëve është në gjendje alarmante dhe se veprimi i Qeverisë duhet të jetë i shpejtë në funksion të shpëtimit të jetës së minatorëve. Kjo grevë është sociale dhe nuk është politike.

Sindikatën e minatorëve e njoftuam, që si parti, nuk jemi këtu për interes politik, por për t’u solidarizuar me ju, duke qenë të gatshëm që të japim kontributin tonë në ngritjen e shqetësimeve të tyre dhe zgjidhjen e problemit përmes mekanizmave në Parlament të Kosovës.

/Shqip.com