Meta del në konferencë: Nuk jam thirrur nga SPAK për çështjen CEZ-DIA

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë mesditën e sotme në një konferencë para gazetarëve. I pyetur nëse ka një fletëthirrje për në SPAK lidhur me çështjen ÇEZ-DIA-s apo për çështjen austriake, Ilir Meta e ka mohuar.
Meta ka deklaruar se nuk ka asnjë fletëthirrje për këtë çështje, por nga ana tjetër theksoi se ka shkuar në SPAK për të bërë denoncime.
“Këto janë lajme tërësisht banale. Pse janë banale? Se janë pa përmbajtje, pa materie janë tema të lodhura. Nuk përbën asnjë lajm që Ilir Meta të shkojë te SPAK apo në prokurori. Se ky është dallim i fortë i Ilir Metës me Edi Ramën apo cilindo tjetër. Kam qenë në SPAK si kallëzues, me letra dhe fakte.. Kurrë nuk janë hapur shumë prej atyre çështjeve. Do të shkoj kudo ku do të më thërrasin. Nuk kam asnjë shqetësim nga drejtësia, apo aktivitetit im si politikan dhe qytetar. Nuk ka asnjë akt të nënshkruar nga Meta ‘fet e fët’. Mbetëm në mbrojtje të ligjit dhe kushtetutës. Ekziston një çështje ‘Meta për Edi Ramën, model i transparencës që Meta ka ndjekur gjithmonë”, tha Meta.
Pas aksioneve të SPAK ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha i cili po përballet me akuzat për korrupsion për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, qarkulloi lajmi se Ilir Meta është larguar nga Shqipëria.
Vetë Meta në daljen para mediave zbuloi sot se nuk ka bërë dalje publike për rreth 3 javë për shkak të disa çështjeve të shëndetit.
“Unë për hir të së vërtetës gjatë këtyre 3 javëve për arsye personale të disa çështjeve të shëndetit, nuk kam qenë i angazhuar publikisht, aq sa edhe ju jeni shqetësuar”, tha Meta.
Teksa ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend, ku depuetët e Rithemelimit nuk lejojnë që të zhvillohen seancat plenare, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta thotë se do të jenë në një linjë me opozitën për rikthimin e vendit në shinat Kushtetuese.
Ai tha se opozita duhet të jetë faktor i madh për rikthimin e demokracisë në vend.
“Ne jemi në një linjë për rikthimin e të drejtave kushtetuese të opozitës në parlament, që të ushtrojë funksionin kryesor si garant i republikës parlamentare që është asgjësuar në kolonat e saj. Ne jemi në një linjë me çdo faktor opozitar që është për rikthimin e vendit në shinat Kushtetuese, të vendit dhe të shtetit në parimet e kontrollit dhe balancës. Nuk mund të ndodhë pa rolin që mund të marrë opozita, që është dobësuar për shkak të agresionit të qeverisë, mobilizimit shtetëror për të asgjësuar opozitën”, tha Meta.
Ndërkohë, Meta u pyet edhe për deklaratën e Berishës, që nuk përjashtoi as grevën e urisë. Kreu i PL la të kuptohej se nuk ndan të njëjtin mendim me Berishën sa i takon akuzave ndaj SPAK, të cilën ish-kryeministri e ka quajtur “organizatë kriminale”.
“Mendoj që ka qenë një grevë urie që i dha një goditje të fortë sistemit. Ne do të jemi në bashkëpunim, në koordinim me PD, dhe faktorët e tjerë që duan një opozitë të fortë, në kontribut të rivendosjes së llogaridhënies. Për këtë gjë do të bëjmë gjithçka që është e domosdoshme. Ju doni të më përçani me Berishën? Secili ka stilin e vetë. Nuk mbaj qëndrim në bllok. Nuk mund të them që të gjithë ata atje janë ushtarë të Engjëll Agaçit”, pohoi ai.
/Shqip.com