Lajme

Një muaj paraburgim për pesë të dyshuarit që u arrestuan gjatë aksionit kundër kontrabandës në veri

Veriu i Kosovës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit kundër pesë të pandehurve të cilët janë arrestuar të mërkurën gjatë një aksioni të Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Të pandehurit janë I.Z., R.K., A.K., A.D., dhe M.D., njofton gjykata.

“Dyshohen se kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja ose Organizimi i grupit Kriminal të Organizuar nga neni 277 i KPRK-së lidhur me veprat penale Kontrabandim me mallra nga neni 311, Shmangie nga tatimi nga neni 307 si dhe veprës penale Tregtia e ndaluar nga neni 299 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve I.Z., R.K., A.K., A.D., dhe M.D e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin veç e veç, konform nenit 187 par. 1 nënpar. l.l dhe 1.2, pikat 1.1.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”.

Lexo edhe:
Petkoviq: Kurti zhvilloi aksionin në veri vetëm për vota, s’kishte asgjë tjetër

Ndryshe, paraditen e së mërkurës, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës, kanë zhvilluar një operacion kundër kontrabandimit të mallrave në disa rajone të vendit.

Veriu i Kosovës

Operacioni është zhvilluar edhe në Mitrovicën e Veriut, ku serbët lokalë penguan zyrtarët policorë në kryerjen e këtij operacioni duke i sulmuar ata me armë zjarri, granata dore, shok bomba etj.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar tetë persona, tre prej të cilëve janë liruar, ndërsa 10 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mërkurën, tha se të lënduar nga ky aksion mbetën 10 zyrtarë policorë, teksa shtoi se ka dyshime që ky aksion u dekonspirua – gjë për të cilën kanë nisur hetimet./SHQIP.com