Huruglica e pranon se bëri gabim që i tha MI-së të vazhdojë kontratën

Ministria e Infrastrukturës jashtëligjshëm ka nënshkruar kontratën për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, kjo pasi alibia e vetme që kishte në dorë ka rënë tashmë.
Ekspertja e OShP-së, Blerina Huruglica, e cila kishte bërë ekspertizën lidhur me ankesat e pranuara nga operatori ekonomik, “Sallahu ShPK”, është tërhequr nga rekomandimet se procesi i nisur nga Ministria e Infrastrukturës mund të vazhdojë.
Huruglica ka pranuar se gaboi kur u lëshua në rekomandime gjatë ekspertizës së saj, andaj i ka tërhequr ato, por jo edhe gjetjet për të cilat thotë së vazhdojnë të qëndrojnë, raporton Klankosova.
Gjetjet e këtij raporti tregojnë se si procesi i udhëhequr nga Ministria e Infrastrukturës dhe kontratat e nënshkruara nga zv.ministri Hysen Durmishi, nuk ishin në përputhje me rregullat dhe ligjin e prokurimit publik.
Ndër të tjera, ky raport kishte ngritur edhe shqetësimet se gjatë këtij procesi pati diskriminim dhe mostrajtim të barabartë ndaj palëve në interes.
Por Huruglica ka mohuar se ka pasur presione, qoftë gjatë hartimit të ekspertizës apo dhënies së rekomandimeve.
“Nuk kam pasur presione, thjesht kam kuptuar që kam gabuar dhe i kam tërhequr rekomandimet e mija, por raporti qëndron në tërësi deri te pjesa e rekomandimeve”, ka thënë ajo.
Huruglica ka referuar që për detajet e tjera t’i drejtohemi OShP-së.
/Shqip.com