Lajme

Rama: S’ka “korsi të shpejtë” për anëtarësimin në BE. Shqiptarët e duan Europën si të tyren!

Për Shqipërinë nuk do të ketë një proces të përshpejtuar për anëtarësimin në Bashkimin Europian”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. I pyetur se në kohën kur Shqipëria po diferencohet, për shkak të përparimit të saj, përse nuk ka një “korsi të shpejtë”, kryeministri tha se diçka e tillë nuk ekziston. Ai tha se nuk ka një datë dhe as korsi preferenciale në këtë proces.

“Çdo ditë e më shumë në një botë që komplikohet, domosdoshmëria e thyerjes, komplimentarizimit të kësaj rruge tradicionale me një rrugë paralele ku vendeve t’u jepen më shumë hapësira dhe ku bashkimi i Europës të bëhet praktik dhe të behët përditë e më i prekshëm nga të dy palët. Nuk ka korsi preferenaciale në këtë proces. Ne duhet të vazhdojmë në frymën e atij amaneti që nga koha e Skënderbeut tek rilindasit tanë dhe më pas tek njerëzit tanë, që në shekuje kanë dashur Europën si të tyren. Ne na duhet që detyrat e shtëpisë t’i bëjmë pa u nxituar, pa kërkuar korsi preferenciale”, tha kryeministri nga konferenca e përbashkët me presidentin francez Emanuel Macron.

Kryeministri tha se nuk ka nevojë që Shqipëria të zërë një vend në Këshilllin Europian që të tregojë se pa të nuk merren vendime. “Mua Këshilli Europian sot më duket si një familje ku gjyshërit, prindërit, fëmijët, fëmijët e fëmijëve janë në të njëjtën tavolinë dhe kanë njësoj të drejtë të ndalojnë vendimmarrjen. Në cilën shtëpi ndodh kjo. Gjithë pjesa e urtë thotë duam të marrim këtë vendim, çohet stërnipi thotë jo nuk dua, ikni. Ndërkohë që Europa përballet me fuqi të mëdha, të vjetra dhe të reja që kanë një kapacitet vendimmarrës strategjik. Kjo është pjesë e Europës që do ta zgjidhim këta, s’kemi punë ne. Kjo është e mira kur je në krye të një vendi si Shqipëria nuk ke barrën të zgjidhës probleme kaq të rënda. Kështu që me keqardhje e me simpati i ofrojmë solidaritetin tonë dhe ndajmë dhimbjen. Ne duhet të bëjmë detyrat tona këtu. Ne duhet të tregojmë që s’kemi nevojë për një vend në tryezën e Këshillit Evropian, ku t’i tregojmë Gjermanisë apo Francës se po s’ramë dakord ne, kta s’marrin dot vendime. Ne na duhet vendi ynë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare nga konferenca me Macron u ndal edhe në rrugën që ndjekin vendet e BE për zgjerimin. Sipas kryeministrit, “do duhet pak kohë që mesazhi i presidentit i cili është një risi për qasjen ndaj rajonit të thyejë veshin e të gjithë atyre që janë shumë të interesuar për këtë proces por që janë edhe të mësuar që ta shikojnë këtë proces vetëm në rrugën tradicionale”.

/Shqip.com