Në Gaza ka edhe shqiptarë, Ministria e Jashtme vihet në lëvizje: Po punojmë për t’i rikthyer!

Dhjetëra shqiptarë janë evakuuar nga Izraeli që prej nisjes së luftimeve me militantët e Hamasit. Mirëpo, shqiptarë ka edhe në Rripin e Gazës. Lajmin e ka konfirmuar Ministrja e Jashtme e Shqipërisë. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, MEPJ deklaron se po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin e shqiptarëve në atdhe.
MEPJ konfirmon se prej 48 orësh janë në kontakt me shqiptarët që kërkojnë të largohen nga Gaza e vënë në shënjestrën e bombardimeve izraelite, pasi sipas Ministrisë, shqiptarët vetëm 2 ditë më parë kërkuan zyrtarisht ndihmë nga Ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael dhe Egjipt.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadave të Republikës së Shqipërisë në Izrael dhe Egjipt vijon përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në vështirësi, për shkak të luftës në Izrael dhe Rripin e Gazës.
Pas disa intervistave në media, MEPJ përmes ambasadës në Egjipt është vënë në kontakt me disa qytetarë (shtetas shqiptarë) të cilët kërkojnë të largohen nga Rripi i Gazës.
Prej 48 orësh MEPJ është në kontakt orë pas ore me këta shtetas, të cilët vetëm dy ditë më parë kanë deklaruar zyrtarisht se jetojnë në Rripin e Gazës. Më herët, MEPJ nuk ka patur asnjë deklarim të shtetasve shqiptarë, pranë autoriteteve të saj në Egjipt apo Izrael, që jetojnë në Rripin e Gazës.
Prej kontaktit të parë me këta shtetas, MEPJ është në komunikim në vazhdueshëm me përfaqësitë e saj në Egjipt dhe Izrael dhe organizatat ndërkombëtare për lehtësimin e daljes së shtetasve nga Rripi i Gazës”, thuhet në njoftim.
Ditët e fundit, pas shpërthimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, në mediat shqiptare janë bërë disa herë apele nga Gaza, ku shqiptarët e atjeshëm bëjnë thirrje për ndihmë.
Një numër jo i vogël shqiptaro-palestinezësh jetojnë në Rripin e Gazës, territorin e vogël të rrethuar nga Izraeli dhe Egjipti por që banohet nga 2.3 mln njerëz.
/Shqip.com