Pse Speciales po i “firojnë” në gjyq dëshmitarët kundër UÇK?

Procesi që po zhvillohet në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë po sjell disa momente mjaft interesante. Një ditë më parë, nisja e dëshmisë nga dëshmitari 29 në Dhomat e Specializuara të Hagës është shoqëruar me mjaft reagime, ndërprerje dhe përplasje. Gjithçka nisi pasi avokati i Kadri Veselit deklaroi se ky dëshmitar ka negociuar me Prokurorinë përfitime materiale në këmbim të dëshmisë. Madje edhe vetë dëshmitari e nisi dëshminë e tij duke iu drejtuar prokrorit se kishte dy kërkesa, por u refuzua nga gjyqtari Pache. Sakaq, një dëshmitar tjetër në procesin kundër liderve të UÇK-së ka refuzuar të dëshmojë. Shqip.com mëson se dëshmitari në fjalë ka deklaruar se nënshkrimi që ndodhet në një deklaratë të dhënë në vitin 2004 nuk është i tij. Ka dyshime se firma që ndodhet në atë dokument është e falsifikuar.
Dëshmitari 29
Menjëherë pas betimit se do ta thotë të vërtetën, dëshmitari 29 në rastin e krerëve të UÇK-së kërkoi diçka nga trupi gjykues. Ai tha se ka dy kërkesa, por kur filloi t’i tregonte ato, ai u ndërpre nga gjyqtari Charles Smith, i cili tha se deklarimet e tilla bëhen në fund. “Unë i kam dy kërkesa, e parë është se…”, ishte duke deklaruar dëshmitari kur u ndërpre nga kryegjyqtari i rastit.
Pas kësaj një moment tjetër pikant ishte kur dëshmitari filloi të merrej në pyetje nga prokurori James Pache. Dëshmitari kërkoi që seanca të ndërpritet. Fillimisht tha se nuk po ndihet mirë nga gjendja shëndetësore, e pastaj se i duhet të konsultohet me avokatin. Kjo ndër rastet e rralla kur një seancë ndërpritet ende pa nisur mirë. “Më duhet pak pushim se nuk po ndihem mirë me shëndetin. Nuk mund të vazhdoj. Më duhet me u konslultu me një avokat rreth procesit, nuk po i kuptoj do sene bash mirë”, ishin fjalët e dëshmitarit (citim i Nacionale).
Reagimi i avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, ishte i menjëhershëm. Ai tha se dëshmitarit i është bërë e ditur nga Prokuroria se në këtë rast ka rrezik të vetëinkriminimit. Por, pa treguar për çfarë bëhet fjalë.
Kur Emmerson po fliste sot për këtë dëshmitar, Prokuroria kërkoi që të shkohet në seancë private. Dëshmitari për të cilin foli Emmerson është i 29-ti me radhë. Ai e nisi dëshminë të martën, 10 tetor, dhe do ta vijojë për disa seanca, ndërsa do të ketë edhe masa mbrojtëse.
Për avokatin e Kadri Veselit, dëshmitarët që po ofron Specialja nuk kanë për qëllim administrimin e dëshmive, por fshihen tendenca të tjera.
Seanca me dyer të mbyllura
Pas këtyre momenteve, seanca në Dhomën e Specializuar të Hagës u zhvillua e mbyllur për publikun. Pas një ndërprerje të shkurtër, rikthimi ishte me një njoftim se do të zhvillohej pa praninë e publikut. Kështu që, askush nuk mund të shihte dhe as dëgjonte asgjë. Nuk dihet se cilat ishin diskutimet në këtë pikë të procesit.
Dilemat për dëshmitarin
Pikëpyetjet dhe reagimet për dëshminë e këtij dëshmitari nisën që nga të hënën. Avokati Ben Emmerson deklaroi në seancë se ky dëshmitar ka kërkuar “pazar” në këmbim të dëshmisë. Ai ka thënë se në shënimet përgatitore të dëshmitarit të radhës, dëshmitari tenton të negociojë me Prokurorinë përfitime për të në këmbim të dëshmisë.
“Më duket se ka lidhje me dëshmitarin e radhës. Nuk e di nëse keni pasur mundësi të shihni shënimet përgatitore apo korrigjuese të dëshmitarit, por iu lutem të shihni shënimin përgatitor numër dy. Në këtë shënim është një përmbajtje, një përshkrim i një, është bërë një përpjekje nga dëshmitari të negociojë diçka me prokurorinë para se të jap dëshmi, është paragrafi 1 dhe 12. Diskutohet diçka lidhur me atë që është premtuar në të shkuarën, dhe cfarë nuk është premtuar, dhe ka një kontradiktë të qartë mes asaj që është premtuar, dhe z.Pache, ka një kontradiktë mes asaj që ai thotë se është pretenduar, dhe asaj që pretendon Pache”, tha Emmerson. Dëshmitari 29 është planifikuar që do të merret në pyetje për disa ditë me radhë.
Dëshmitari tjetër: Kanë falsifikuar deklaratën time
Një tjetër dëshmitar shqiptar po refuzon të dëshmojë në Gjykatën Speciale, në gjykimin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Teksa është pyetur nga Prokuroria e Speciales për një provë, deklaratë të cilën ky organ pretendon se ai e ka dhënë në vitin 2004, i ka mohuar që të gjitha. Dëshmitari ka thënë se nënshkrimi që është në fund të deklaratës, nuk është i tij. Avokati i caktuar nga Specialja ndërkaq për dëshmitarin, ka thënë se klienti i tij nuk është i gatshëm të dëshmojë, por do që të shkojë në burg.
Pjesë nga Biseda:
Prokuroria: A është e vërtetë se keni thënë deklaratë në vitin 2004?
Dëshmitari: Është e pavërtetë.
Prokuroria: Po thoni që nuk keni thënë deklaratë?
Dëshmitari: Nëse do të shihni versionin anglisht, a shihni nënshkrimin tuaj?
Prokuroria: E paska shkarravit dikush këtë shkrim, nuk është e vërtetë.
Avokati i dëshmitarit: Sot paradite jam konsultuar me klientim tim. Dëshmitari është i stresuar dhe nuk është gati të jap dëshmi, është gati të shkojë në burg. Po udhëzohet ai për të dhënë dëshminë. Nuk e di nëse shtyhet seanca do të ndryshojë mendja e tij.
/Shqip.com