Lajme

Kryetari i LDK-së flet pas takimit me Presidenten dhe shefin e AKI-së

Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së
Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se mbrëmë ka pranuar ftesë nga presidentja Osmani për takim me të dhe me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti.

Abdixhiku ka thënë se në këtë takim është informuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe për angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë së dielës.

“Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore  – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore  – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm.

Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional  në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.

Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.

Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë.

Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë.

/Shqip.com