Lajme

Kushtetuesja refuzon kërkesën e PDK-së për pezullimin e vendimeve të seancës së 13 korrikut

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e ka refuzuar kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me vendimet e miratuara në seancën e Kuvendit të Kosovës të 13 korrikut, ku ndodhen përleshjet fizike mes pozitës dhe opozitës.

Vendimi që të refuzohet kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës, për masë të përkohshme në rastin KO 160/23, është marrë me 7 vota pro dhe një kundër, ka njoftuar Gjykata Kushtetuese.

“Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga dymbëdhjetë (12) deputetë të Kuvendit, bazuar në autorizimet e përcaktuara nëpërmjet paragrafit 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, ka vendosur që kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur, të refuzohet”, thuhet në komunikatë.

“Vendimi i Gjykatës gjithashtu sqaron që parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata, që deri në vendosjen meritore të saj lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, të vendosë masën e përkohshme ndaj aktit të lartcekur, përkatësisht “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, duke pezulluar për pasojë edhe efektin e të gjitha vendimeve të miratuara nga Kuvendi në seancën plenare të 13 korrikut 2023, përfshirë edhe hyrjen në fuqi të ligjeve të miratuara në atë seancë, sipas nenit 80 [Miratimi i Ligjeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Parashtruesit e kërkesës nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi ose arsyetim se pse pezullimi i efektit të të gjitha vendimeve të Kuvendit të miratuara në seancën e 13 korrikut i kontribuon evitimit të rreziqeve apo dëmeve të pariparueshme dhe për pasojë, interesit publik”, thuhet tutje në komunikatë.

/Shqip.com