Lajme

Prokurori: Sjellja e Gucatit dhe Haradinajt tregon motivin për të penguar procedurat

Prokurori ne rastin e Haradinajt dhe Gucatit

Prokurori I Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka paraqitur faktet, që sipas tij, kanë lidhje me procedurën zyrtare të Dhomave dhe hetimeve të ZPS-së, transmeton Shqip.com.

Në gjykimin e sotëm të Haradinajt dhe Gucatit, prokurori në fjalën e tij përmedi se midis muajve prill dhe shtator të vitit 2020, të akuzuarit kanë bërë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke i quajtur ata gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

“Kjo sjellje tregon qartë edhe motivimin e tyre për të penguar dhe dëmtuar procedurat e Dhomave të Specializuara”, tha ai.

Më tej, ai tha se midis 7 dhe 25 shtatorit, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, sekretari i OVL-UÇK-së Faton Klinaku si dhe Tomë Gashi – avokat i OVL-UÇK-së, bashkarishtë kanë shpërndarë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetime konfidenciale të ZPS-së.

“Inkurajuan të tjerë të shpërndajnë informacion konfidencial dhe jopublik dhe ndërmorën veprime të tjera për qëllimin e deklaruar të pengimin e punës së ZPS-së. Ky informacion konfidencial dhe jopublik përfshinte dokumente të shënuara si konfidenciale, emra dhe të dhëna personale të qindra dëshmitarëve të mbrojtur”, është shprehur ai.

Seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK’së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Ai më tej përmendi edhe deklaratat e Gucatit dhe Haradinajt, për të cilët tha se publikisht kanë konfirmuar se u kanë dhënë kopje të dokumenteve të nxjerra gjatë herës së parë edhe përfaqësuesve të shtypit.

“Zbuluan më shumë nga përmbajtja e dokumenteve të nxjerra gjatë herës së parë duke përfshirë hollësi të hetimeve konfidenciale. Deklaruan se në dokumente përmendeshin me emra dëshmitarë si dhe përmenden data dhe vende të kryerjes së intervistave. Akuzuan dëshmitarë të përmendur në dokumente se ishin tradhtarë, gënjeshtarë dhe spiun”.

Të enjten ka nisur gjykimi i dytë në DHSK në Hagë – ai kundër ish-krerëve të OVL-UÇK’së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Gucati e Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. /Shqip.com