Konjufca: Zgjedhjet në veri vetëm sipas ligjit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca thotë se ende s’ka pajtim për zgjidhjen e situatës në veri, përkundër takimit të së enjtes në Bruksel.
Ai shton se dakordimi për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore është vetëm në nivelin politik, por jo për mënyrën sesi të ecet përpara për de-eskalimin e situatës.
Sipas tij zgjedhjet e reja në veri duhet të organizohen vetëm në përputhje me kuadrin ligjor dhe kushtetues të Kosovës.
“E vetmja pajtueshmëri e qartë ishte ajo e nivelit politik, jo konkret dhe praktik sesi të ecet përpara. Por e nivelit politik që të gjithë pajtohen se ka nevojë për zgjedhje të reja në veri. Ky është i vetmi emërues i përbashkët që e ka karakterizuar takimin (e Brukselit). Të tjerat, sa i përket kërkesave të zotëri Vuçiq, ato janë të papranueshme për Kosovën natyrisht…
Edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja, duhet të shkohet me procedura kushtetuese, jo me procedura antidemokratike. Pasi, edhe qysh shkohet në zgjedhje të reja, Kosova e ka opsionin e vet ligjor dhe demokratik civil. Kurse, Serbia e ka opsionin e ushtrimit të dhunës përmes grupeve që janë të orkestruara”, thotë Konjufca.
Konjufca deklaron se qëllimi kryesor i Serbisë është që përmes krijimit të një vakuumi institucional në veri dhe pastaj trazirave të vendose Kosovën para një fakti të kryer, që pastaj të kërkojë një zgjidhje politike për një formë autonomie territoriale.
Mirëpo, ai thotë se kjo është e papranueshme për Kosovën.
Konjufca shprehet i vendosur se do t’i bindin ndërkombëtarët që Kosova është në të drejtën e vet për vendosjen e ligjshmërisë në veri.
“Ka dallim ndërmjet bandave dhe njerëzve që marrin urdhra dhe popullit, i cili përgjithësisht nuk është i përfshirë atje dhe i shikojnë punët e veta. Por sa i përket këtyre që marrin urdhra dhe ushtrojnë drejtpërdrejtë dhunën, ky është një dallim shumë i qartë.
Qeveria është duke e bërë këtë dallim, arrestimi i (Milun) Milenkoviq, ai ka një dosje kriminale me dhjetëra vepra, i dyshuar edhe për dy vrasje. Si mund të thuhet ai është provokim, çfarë provokimi është ajo. I njëjti njeri nëse është në Prishtinë dhe është me nacionalitet shqiptar, ai arrestohet në mes të Prishtinës. Pse të jetë ndryshe për një rajon tjetër, pasi krijojmë standarde të dyfishta…
Ne duhet t’i bindim ndërkombëtarët që kjo është një e drejtë e Kosovës, s’ka të bëjë me civilët dhe është vetëm përpjekje (e Serbisë), pasi janë quajtur zgjedhjet legjitime, kryetarët e kanë përgjegjësinë që të ushtrojnë detyrën nga vendi i tyre i punës”, tha kryeparlamentari Konjufca, për KosovaPress.
Në anën tjetër, ai kërkon lirimin pakushte të policëve të rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, duke shtuar se në kthimin e tyre në shtëpi nuk duhet të ketë asnjë kushtëzim nga ana e Serbisë.
/Shqip.com