Lajme

Zgjedhje të reja në Veri përmes peticionit, opsion i pranueshëm për Kurtin e Osmanin

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe presidentja, Vjosa Osmani, kanë thënë se zgjedhje të reja në Veri të vendit mund të mbahen përmes peticionit të nënshkruar nga serbët, që sipas tyre, është opsion më i pranueshëm.

Sot Kurti, e para një jave Osmani, kanë thënë se që kjo është mënyrë “më e drejtë” dhe “më demokratike”.

Mirëpo, para shpalljes së zgjedhjeve të reja, Osmani dhe Kurti kanë nga një kërkesë, ndërkaq për të marrë pjesë në këtë proces kushte ka edhe Lista Serbe.

Zgjedhje të reja në Veri përmes peticionit të nënshkruar nga serbët është opsion i pranueshëm për dy krerët e shtetit, kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Sot Kurti e para një jave Osmani kanë thënë se që kjo është mënyrë “më e drejtë” dhe “më demokratike”. Mirëpo para shpalljes së zgjedhjeve të reja, Osmani dhe Kurti kanë nga një kërkesë, ndërkaq për të marrë pjesë në këtë proces kushte ka edhe Lista Serbe.

Zgjedhje të reja janë një nga kërkesat që SHBA dhe BE i kanë parashtruar Kosovës si një nga hapat për deeskalim të situatës që u tensionua pas hyrjes së kryetarëve nëpër objekte komunale.

Mirëpo, për shpalljen e tyre, ekzistojnë dy rrugë. E para është ajo përmes dorëheqjes së kryetarëve aktualë, ndërsa e dyta përmes një peticioni të nënshkruar nga serbët.

Për çështjen e shpalljes së zgjedhjeve të reja janë deklaruar edhe presidentja Osmani edhe kryeministri Kurti. Të dytë janë pajtuar që zgjedhjet në Veri të shpallen pas nënshkrimit të peticionit.

Sot Kurti në një konferencë për media ka thënë se kryetarët në Veri nuk janë zgjedhur për t’u dorëhequr, derisa ka shtuar se nuk ka “të drejtë” ta kërkojë dorëheqjen e tyre.

Ai tha se peticioni është mundësi “më e drejtë, më e arsyeshme dhe më e dobishme”.

“Dorëheqja është akt moral, ata nuk janë zgjedhur për t’u dorëhequr, unë besoj që nuk iu vjen mirë as vetë kryetarëve që ka pasë pjesëmarrje kaq të ulët, asnjë kryetar nuk dëshiron që të ketë kaq pak dalje në zgjedhje. Zgjidhja për zgjedhje duhet të jetë ligjore por unë nuk kam as të drejtë ligjore, institucionale dhe kushtetuese që të kërkojë dorëheqjen e tyre, dhe këtë s’e bëj dot as nga pikëpamjet e mia politike dhe etike. Duhet zgjidhje tjetër për zgjedhje të reja, që gjithashtu duhet të jetë ligjore. Presidentja Osmani e ka përmend një mundësi, që nëpërmjet nënshkrimit të qytetarëve të vijmë në atë situatë, që për bindjen time është edhe më e drejtë më e arsyeshme dhe më e dobishme”, tha ai.

Pro zgjedhjeve të reja është deklaruar edhe presidentja Osmani pas takimeve me Presidentin e Francës dhe Kancelarit të Gjermanisë në Moldavi.  Pastaj  në një intervistë për Reuters, ka thënë se zgjedhjet e reja mund të shpallen nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.

Sipas Osmanit, peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.

“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo për Reuters më 7 qershor.

/Shqip.com