Berisha për situatën në Kosovë: Një nga nxitësit ka qenë direkt Edi Rama
Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur për situatën në veri të Kosovës, akuzoi Tiranën zyrtare si nxitës të saj.
Berisha tha se qëndrimi i Ramës në krah të Vuçiqit e ka dëmtuar procesin.
“Një nga nxitësit e kësaj situate këto vite ka qenë Tirana zyrtare dhe direkt Edi Rama me angazhimin e tij në mbështetje të projekteve për Serbinë e Madhe në krah të Vuçiqit dhe ka dëmtuar shumë këtë proces. Tirana zyrtare duhet të mbështesë Kosovën. Nuk duhet të ndërhyjë mes dialogut të Kosovës dhe Serbisë, por Shqipëria është palë me Kosovën dhe nuk mund të shpallet e paanashme. Rama i ka kredencialet e djegura, njihet më shumë si një argat i Vuçiqit, ndaj dhe qëndrimi i tij është i dëmshëm”, tha Berisha.
Më tej, Berisha u shpreh se nga pikëpamja ligjore kryeministri Kurti po bën gjithçka për të zbatuar ligjin në vendin e tij.
“Në analizë ligjore, Kryeministri Kurti po bën gjithçka për të zbatuar ligjin në vendin e tij. Zgjedhjet u bënë pasi Vuçiq urdhëroi Listën Serbe që të braktisin detyrën. Këta kryetarë të zgjedhur me 3-5% të votave, duke pasur parasysh dominancën serbe në këto komuna, nuk mund të konsiderohen si qeverisëse të asaj shumice”, tha Berisha në emisionin Opinion.
/Shqip.com