Sport Ndërkombëtar

Trajneri ia merr gazetarit celularin (VIDEO)

Trajneri i skuadrës braziliane të Palmeiras, portugezi Abel Ferreira  është inatosur me një gazetar që po e filmonte, në momentin që ai po fliste me gjyqtarin e katërt të ndeshjes dhe i ka kapur celularin nga duart.

Abel Ferreira ka qenë protagonist i një incidenti intensiv me një gazetar të “Globo”, i cili po e filmonte. I irrituar dukshëm, ai i ka marrë celularin nga dora dhe është përleshur me të.

E gjithë kjo me rastin e faktit, se Abel Ferreira tentoi t’i dhuronte një fanellë të Palmeiras gjyqtarit të katërt të ndeshjes me Sao Paulon, teksa ai po fliste me drejtorin ekzekutiv të skuadrës, Anderson Barros. Gjyqtari refuzoi me mirësjellje dhe në atë moment trajneri portugez vuri re se disa gazetarë  po e filmonin.

I mërzitur është drejtuar drejt vendit ku ndodheshin gazetarët e “Globo” dhe i ka rrëmbyer nga duart njërit prej tyre celularin. Abel Ferreira ia ktheu pajisjen pronarit të saj, vetëm kur e kuptoi se po regjistrohej edhe nga të tjerët që ndodheshin aty.

Trajneri portugez rrezikon të dënohet nga një deri në gjashtë ndeshje. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes ai ndër të tjera tha:

“Thjesht për të sqaruar, sepse të gjithëve këtu u pëlqen ta kthejnë një gotë ujë në stuhi, këtu u bë një bisedë mes meje, drejtorit tonë sportiv dhe njërit prej gjyqtarëve të ndeshjes. Dhe kishte njerëz, nuk e di nëse do të ishin gazetarë, që më filmonin me celularët e tyre. Kërkoj falje nëse e kalova kufirin.

Këto janë gjëra që ndodhin në futboll, por fatkeqësisht sot të gjithë kanë kamera. Ka gjëra që një djalë nuk duhet t’i dijë. Por përpara se të ketë një stuhi, unë thjesht po e bëj atë sqarim”.

Sipas raportit, trajneri Abel Ferreira i ka telefonuar drejtorit të “Globo” për të kërkuar falje për sjelljen e tij të pahijshme.

/Shqip.com