Lajme

Zhbllokohen Jarinja e Bërnjaku

Veriu i Kosovës

Pas disa ditësh tensione, janë zhbllokuar rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në këtë mënyrë është përmbushur pika e parë e marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel lidhur me çështjen e targave.

KFOR-i tashmë është vendosur në afërsi të këtyre dy pikave kufitare.

Po ashtu, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë larguar nga pika kufitare në Bërnjak.

Teksa po largoheshin nga kjo pikë kufitare, Njësitë Speciale janë provokuar nga serbët lokal të cilët brohorisnin “Serbia, Serbia”.

Njësia Speciale e Kosovës në veri të Kosovës

Rrugët ishin bllokuar nga serbët lokalë, që nga 20 shtatori, pasi Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhej të hiqnin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.

Megjithatë, delegacionet e dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut./SHQIP.com