Kërkohet edhe me dron një person i humbur në Ferizaj

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka shpallur kërkimin për një person të humbur nga fshati Biti e Epërme e Ferizajt.
“Me datën 13.05.2023 ShKShMK pranon thirrje nga Policia Rajonale e Ferizajt për kërkimin e një personi të humbur nga fshati Biti e Epërme. Personi në fjalë sipas informatave të para është i moshës 29 vjeçare dhe kishte dalur në malet e Syrinikës (zonë e fshatit të lartcekur) për mbledhjen e bimëve medicinale”, thuhet në njoftimnin zyrtar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, raporton Shqip.com.
Tutje, sipas këtij njoftimi, personi në fjalë rezulton i humbur nga mëngjesi i datës 12.05.2023.
“Me të pranuar thirrjen një skuadër e ShKShMK duke bashkëpunuar me institucionet e sigurisë ka filluar planifikimin e kërkimit dhe kërkimin malor nga toka dhe vëzhgim me dron për gjetjen e të humburit”, thuhet tutje në njoftim.
Kërkimi i të humburit do të vazhdojë edhe sot duke u koordinuar me institucionet e sigurisë.
/Shqip.com