Osmani: S’duhet të diskutohet versioni i draftit për Asociacionin i hartuar nga Serbia

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se Kosova duhet ta ketë draftin e saj për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas saj, nuk mund të lejohet një draft i tillë nga një ekip menaxhues që kontrollohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Një deklaratë e tillë e presidentes Osmani vjen në ditën kur në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
E para e shtetit pas akademisë përkujtimore për masakrën e Studimes së Vushtrrisë ka folur edhe për çështjen e personave të zhdukur me dhunë në luftën e fundit.
Presidentja Osmani duke folur për çështjen e Asociacionit tha se drafti i hartuar nga Republika e Kosovës duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe qëndrimin e shkruar të ShBA-së.
“Pritjet e mia janë që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj, nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashtuquajtur ekip menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit të bëhet bazë e negociatave, ta kemi draftin tonë që është në përputhje të plotë me Kushtetutën, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, me qëndrimin e shkruar të ShBA-së, dhe siguron që nuk preket territorialiteti dhe integriteti i shtetit”, u shpreh presidentja.
Ndryshe, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është ankuar gjatë ditës duke thënë se sot e pret një ditë e vështirë sepse perëndimi është kundër Serbisë.
/Shqip.com