Kurti: Gjatë dy vjetëve qeverisje janë marrë një sërë hapash që prekin jetën e punëtorit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, tha se janë marrë një sërë hapash e vendimesh që prekin jetën e punëtorit.
Ai përmes një postimi në Facebook, përmendi se është hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që, siç thotë Kurti “presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë”.
“Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm”, ka shkruar tutje ai.
Tutje, Kurti tha se gjatë këtyre dy viteve qeverisje janë ndërmarrë masa që nxisin punësimin me theks të veçantë punësimin e grave dhe të rinjve. “Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi)”.
Tutje, Kurti tha se ka mbështetur rritjen e pagave për 17 mijë punëtorë të sektorit privat.
“Punësimi ka qenë njëri prej prioriteve tona kryesore dhe së bashku me të esenciale janë edhe të drejtat në punë. Në këtë drejtim në vitin e kaluar janë bërë 6316 inspektime nëpër biznese që synim kanë pasur monitorimin e respektimit të Ligjit të Punës dhe ligjeve të tjera në fuqi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 153 gjoba për mosrespektim të këtyre ligjeve”, ka shkruar ai.
/Shqip.com