Ekonomi

Rama: Zhvillimi i turizmit rural, rritje e aktivitetit ekonomik

Edi Rama - Kryeministër i Shqipërisë
Edi Rama - Kryeministër i Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ndal sot në një nga agroturizmet në Gruemirë, Malësi e Madhe, nga ku theksoi se kjo zonë ka nevojë për investime të kujdesshme e cilësore, duke ruajtur atë që është forca tërheqëse e zonës, natyra, ushqimi, mikëpritja dhe cilësia e mirë e shërbimeve.

E mbështetur nga programet e qeverisë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, AZHBR përmes programit IPARD II, kjo sipërmarrje është një më të suksesshmet në vend.

Zhvillimi i turizmit rural kërkon shtimin e sipërmarrjeve të tilla, me qëllim rritjen e aktivitetit ekonomik në këto zona, duke kontribuar në rritjen e punësimit dhe të ardhurave për ekonomitë familjare dhe jo vetëm”, theksoi Rama gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve në Malësinë e Madhe.

Rama ju rikthye thirrjes së tij për emigrantët për të ardhur dhe investuar kursimet e tyre në Shqipëri.

Kjo familje i ka pasur të gjitha mundësitë të jetonte në Itali, por zgjodhi Shqipërinë të investojë kursimet. Është një zgjedhje sa atdhedashurie aq edhe e mençur në kuptimin ekonomik, sepse nëse sot agroturizmet janë investime të vështira, që kërkojnë guxim, nesër janë e ardhmja që këto të ardhura nuk mund të bësh në emigracion duke punuar për të tjerët. Ne këtu kemi mbështetur këtë projekt”, u shpreh Rama.

Kryeministri zbuloi edhe se ky agroturizëm do të shndërrohet në një kampus sportive.

Ky është vetëm fillimi i këtij projekti, sepse Gëzimi ka idenë e një kampusi sportiv, për ta kthyer këtë zonë në një destinacion sportiv për skuadrat që kanë nevojë të përgatiten për sezonin e verës dhe të dimrit e që siguron të ardhura më shumë“, tha ai.

Rama tha se tashmë kjo zonë nuk numëron 2-3 dallëndyshe, por ka një gjeneratë të parë sipërmarrësish.

Nuk mund të flasësh për 2-3 dallëndyshe por, një gjeneratë sipërmarrësish në Malësi të Madhe që kanë hedhur bazat”, vijoi Rama.

Sipas kryeministrit, ”Buni i Bajraktarit”, ishte një tjetër që kishte vizituar në këtë zonë së bashku me familjen e tij.

Kaluam shumë mirë. Se di çfarë ka në Zvicër më tepër se aty, përveç faktit që fatura mund të të shkojë në stratosferë. Nuk kam vajtur në Alpet e Zvicrës, por te “Buni i Bajraktarit”, gjeta të njëjtën atmosferë që kam gjetur në Davos”, u shpreh Kryeministri.

Njëkohësisht, tha Rama “Shkodra lake”, është një destinacion, ku nuk gjen dot vend.

Nuk kam gjetur vend për të rezervuar. Thonë që është një nga kampingjet më të bukur në Evropë. Fakti që nuk ka vend, tregon se vetëm është një kamping i bukur dhe se ka lëvizje. Ajo zonë duhet të shndërrohet në një destinacion turistik masiv. Kam parasysh me shumë hotele e njerëz për ski dhe ne do ta realizojmë së bashku me bashkinë”, deklaroi Rama.

/Shqip.com