Sport Ndërkombëtar

Bayern u mposht bindshëm nga City, Kahn jep deklaratën e tij

Bayern Munich ka pësuar humbje 0-3 në udhëtim te Manchester City, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, duket qartë se bavarezët nuk janë dorëzuar. Konfirmimi, përveç deklaratave të bëra nga De LIgt, ka ardhur edhe nga drejtuesi i bavarezëve Oliver Kahn, i cili ka shprehur optimizmin e tij për ndeshjen e kthimit me rastin e një takimi me skuadrën, por duke mos harruar Bundesliga-n.

“Në këtë sport kanë rëndësi rezultatet. Megjithatë, gjërat duhen parë në një mënyrë më ndryshe. Nuk shërben për asgjë të ankohesh dhe të shikosh gjithçka negative”, ka thënë ish-portieri.

“Kemi një mundësi të madhe për t’u shpallur kampionë të Gjermanisë: do të thotë se nuk mund t’i lejojmë vetes të humbasim në mendimet tona, duhet të reagojmë të shtunën”, ka shtuar Kahn për faqen zyrtare të Bayern-it.

“Ndeshja e kthimit me City-n? Kam parë gjëra të pabesueshme në futboll… Duhet të japim gjithçka”. Në lidhje me gabimet kundër City-t: “Kështu është në këto nivele. Nuk mund t’i lejosh vetes shpërqendrime kundër një ekipi të tillë. Nuk mund të bësh asnjë gabim sepse ndëshkohesh pa mëshirë”.

/Shqip.com