Lajme

Nënkryetari i LDK-së: Veprimi i Kurtit në veri është i njëanshëm

Lidhja Demokratike e Kosovës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, e ka quajtur “të njëanshëm” vendimin e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, për vendosjen e reciprocitetit për targat e veturave të Serbisë.

Ka thënë se LDK-ja është mbështetëse ndaj vendimit të Kurtit për shtrirje të sovranitetit edhe në veri të vendit, por me kushtin që kjo të bëhet në koordinim të plotë me partnerët e Kosovës.

Lexo edhe:
Lista Serbe refuzon propozimin e KFOR-it që reciprociteti për targat të mbetet në fuqi

Sipas tij, një veprim që merret në mënyrë të njëanshme nga Kosova i bën dëm vetë asaj.

“Si Lidhje Demokratike jemi dhe kemi dhënë mbështetje të shtrirjes së sovranitetit, por ajo që na ka befasuar neve si LDK është moskoordinimi i Qeverisë me veprimin që e ka marrë me aleatët tonë, sidomos me SHBA-në”, është shprehur ai në Klan Kosova.

Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri

“Pyetja e kryetarit Abdixhiku ishte nëse veprimi ka qenë veprimi i koordinuar dhe nëse është bërë në marrëveshje me partnerët strategjikë. I bie që veprimi është i pakoordinuar dhe i marrë në krye në vete”.

Muhaxheri ka pohuar se si do të përfundojë ky veprim mbetet të shihet në veprimet në vazhdim që do të marrë Qeveria Kurti, derisa ka shtuar se ato duhet të merren si një shtet i përgjegjshëm.

Ka theksuar se mbesin të shqetësuar meqë “nuk kemi marrë përgjigje prej kryeministrit se me çfarë mbështetje ka shkuar në veri me forcat speciale”./SHQIP.com