Lajme

Policia i përcjell serbët nga Zveçani deri në një kishë në Prishtinë

Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës njofton e të martën ka përcjellë disa qytetarë serbë sipas kërkesës së parashtruar për përcjellje nga Zveçani-Mitrovicë e Veriut, për vizitë dhe pjesëmarrje në kishën “Shën Nikolla” në Prishtinë.

Siç bëhet e ditur në njoftim, ceremonia ka filluar nga ora 10:30. “Pastaj janë zhvilluar edhe aktivitete tjera me ç’rast është përfunduar rreth orës 12:50, pa ndonjë problem”.

Lexo edhe:
Osmani në takim me ambasadorin gjerman: Kosova nuk ka nxitur tensione në veri, policia po e ruan rendin

“Policia e Kosovës me njësitet policore është kujdesur për mbarëvajtjen dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë aktiviteteve të kryera në atë lokacion, përderisa, pas përfundimit të ceremonisë dhe aktiviteteve të tyre, nga njësia policore kompetente nën përcjellje, pjesëmarrësit janë kthyer në mënyrë të organizuar në lokacionin e tyre”, thuhet në komunikatën për media.

Që nga java e kaluar, Policia e Kosovës ka shtuar angazhimin në veri të vendit pasi tash e nëntë ditë rrugët afër pikave kufitare me Serbinë, Jarinje e Bërnjak, janë të bllokuara nga serbët.

Forcat speciale të Policisë së Kosovës duke monitoruar situatën në veri të vendit

Ata po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat e veturave që hyjnë nga Serbia.

Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këto pika kufitare. Ata janë provokuar disa herë nga protestuesit serbë, të cilët lëshonin këngë nacionaliste.

Po ashtu, gjatë ditëve të fundit janë parë edhe helikopterë ushtarak serbë që patrullonin mbi këto pika kufitare./Shqip.com