Ndahet nga jeta regjisori Kristaq Mitro

Është ndarë sot nga jeta në orët e para të mëngjesit në Austri në moshën 77-vjeçare Kristaq Mitro.
Regjisori kishte shkuar pranë të bijave, për një ndërhyrje për probleme shëndetësore që kishte (një formë Parkinsoni), ku edhe në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme ka ndërruar jetë.
Mitro pritet të përcillet me homazhe në Tiranë.
Lajmin e ka bërë të ditur një tjetër figurë e njohur e kinematografisë, aktori Mevlan Shanaj përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Lamtumirë Kristaq Mitro, miqësi që nga koha studentore, në një klasë, në një dhomë, deri së fundi si mësimdhënës në Universitetin e Arteve, në degën e regjisë së filmit. Ike duke mbetur në ekranin shqiptar si regjisor veprash me sukses të pakontestuara! Ngushëllime familjes dhe gjithë miqve”, shkruan Shanaj.
Kristaq Mitro, “Artist i Merituar”, është një nga regjisorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, që ka lënë gjurmë në historinë e filmit tonë. Për vite të tëra ka qenë edhe pedagog në Akademinë e Arteve.
Mitro është regjisor i 12 filmave shqiptarë shumë të njohur, madje ka guxuar edhe si skenarist. Mitro ka përfaqësuar Shqipërinë në arena të ndryshme dhe sfida botërore.
Disa nga filmat e tij janë “Kur zbardhi një ditë”, “Tokë e përgjakur”, “Dimri i fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Liri a vdekje”, “Telefoni i një mëngjesi” etj.
/Shqip.com