Tahiri: Me Serbinë aq sa jemi të gatshëm për dialog, duhet të jemi të gatshëm për luftë

Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, tha se Kosova me Serbinë aq sa duhet të jetë e gatshme për dialog, duhet të jetë e gatshme edhe për luftë, njofton Shqip.com.
Sipas saj, kjo është për shkak se Serbia ka përkrahjen e Rusisë, e cila po tenton destabilizim të rajonit, kurse Kosova ka partnerë vendet perëndimore, që kërkojnë dialog.

“Pra mos të habitemi ne për këto punë, ajo që duhet të kuptojmë jo vetëm ne, por edhe Shqipëria është se me Serbinë duhet aq sa të jemi të gatshëm për dialog, duhet edhe të jemi të gatshëm të mbrojmë tokat shqiptare, sepse provokimet e Serbisë vijnë nga Moska, ndërsa ne kemi partnerët që janë për dialog”, tha Tahiri në ATV.
Tutje, ajo tha se në kohën sa ishte në krye të delegacionit kosovar në dialog me Serbinë, kishin vendosur reciprocitet pasi që kështu, ata pranonin marrëveshjet.
Që nga 20 shtatori, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia, duhet që t’i zëvendësojnë tabelat e veturave me ato të Kosovës, të cilat vlejnë vetëm 60 ditë.
Të pakënaqur për këtë, serbët lokal në komunat veriore të Kosovës, kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Për të mbikëqyrur situatën, tashmë në pikat kufitare janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët janë ofenduar disa herë nga protestuesit serbë.
Gjatë dy ditëve të fundit, aeroplanë ushtarakë serbë janë parë duke patrulluar mbi pikat kufitare me Serbinë.
Kurse, KFOR-i ka njoftuar pasditen e së hënës se po e monitorojnë situatën e krijuar në veri dhe po punojnë për një mjedis të sigurt, dhe se është rritur patrullimi në gjithë territorin e veçanërisht në veri./Shqip.com