Tolaj dorëhiqet nga pozita e Drejtorit Menaxhues të AKP-së

Valon Tolaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit Menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Tolaj të hënën në Facebook, teksa ka njoftuar se për vendimin e ka njoftuar edhe Bordin e Drejtorëve.
“Falënderoj kolegët, pa përjashtim, për bashkëpunim për tri vjet me radhë. Ish anëtarëve të Bordit të Drejtoreve u jam mirënjohës për mbështetjen, e po ashtu Bordin e Drejtorëve aktual për qasjen e korrektësinë e tyre”.
“Drejtimi që po merr procesi i transformimit të pronës shoqërore, dhe koha e mbetur e mandatit tim, më kanë bërë të vlerësoj që kontributi im i mëtutjeshëm në AKP është panevojshëm edhe më tutje”, ka shkruar Tolaj.

Valon Tolaj ishte emëruar në pozitën drejtor menaxhues me mandat prej katër vjetësh në nëntor 2018, pas shkarkimit të Ekrem Hajdarit./SHQIP.com