Bërnabiq: BE nuk po bën asgjë ose shumë pak për çështjen e Kosovës

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se Bashkimi Evropian “aktualisht nuk po bën asgjë, ose shumë pak” për çështjen e Kosovës, transmeton Shqip.com.
Sipas saj, Marrëveshja e Brukselit është shkelur qartë në Kosovë sepse nuk duhet që të ketë Njësi Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

“Nuk kam asgjë të mirë për të thënë për sjelljen e Evropës, për sjelljen e BE -së, dhe mbi të gjitha mendoj se është (Marrëveshja e Brukselit) një çështje e BE -së. Nënshkrimi i tyre është në marrëveshjen e Brukselit ”, tha ajo për TV Pink.
Që nga 20 shtatori, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia, duhet që t’i zëvendësojnë tabelat e veturave me ato të Kosovës, të cilat vlejnë vetëm 60 ditë.
Të pakënaqur për këtë, serbët lokal në komunat veriore të Kosovës, kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Për të mbikëqyrur situatën, tashmë në pikat kufitare janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët janë ofenduar disa herë nga protestuesit serbë.
Gjatë dy ditëve të fundit, aeroplanë ushtarakë serbë janë parë duke patrulluar mbi pikat kufitare me Serbinë.
Kurse, KFOR-i ka njoftuar pasditen e së hënës se po e monitorojnë situatën e krijuar në veri dhe po punojnë për një mjedis të sigurt, dhe se është rritur patrullimi në gjithë territorin e veçanërisht në veri./Shqip.com