Sport Ndërkombëtar

Për ndeshjen miqësore, 83.000 bileta shiten për dy orë e gjysmë

Kapiteni i skuadrës argjentinase, Lionel Messi, ka mbërritur të hënën në vendin e tij për të luajtur dy miqësoret e planifikuara më 23 dhe 28 mars.

Fituesi i Kupës së Botës “Katar 2022” mbërriti me një fluturim privat në aeroportin ndërkombëtar “Ezeiza”, nga ku udhëtoi me një furgon për në qendrën stërvitore të Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA).

Siç shihet edhe në pamjet e publikuara nga AFA, vetë presidenti i saj, Claudio ‘Chiqui’ Tapia, e ka pritur dhe përqafuar kapitenin e Albiceleste. Të hënën kanë mbërritur edhe dy lojtarët argjentinas të Aston Villas angleze, portieri Emiliano ‘Dibu’ Martínez dhe mesfushori Emiliano Buendía, si dhe pjesa tjetër e kampionëve të botës që do të vihet këto ditë nën komandën e Lionel Scaloni.

Mbrëmjen e së dielës, katër ndërkombëtarë kishin fluturuar drejt Argjentinës: Nicolas Tagliafico (Olympique Lyon), Enzo Fernandez (Chelsea), Nicolas Otamendi (Benfica) dhe Rodrigo De Paul (Atletico de Madrid).

Pritshmëritë për ndeshjen e së enjtes kundër Panamasë, e cila do të luhet në “Estadio Monumental”, në Buenos Aires, janë maksimale, pasi federata ka organizuar një ceremoni për të festuar titullin e kampionit të botës me tifozët. Këto të fundit, në vetëm dy orë e gjysmë blenë 83.000 bileta.

/Shqip.com