“Skifterat e pushtojnë” kryeqytetin

Vendi i takimit u ndërrua, por atmosfera dhe emocionet që “Derbi i Anamoravës” i solli ishin të njëjta.
Gjilani ka mposhtur Dritën me rezultat të pastër 0-2, në ndeshjen që kësaj radhe u zhvillua në kryeqytet, shkruan Shqip.com.
Edhe pse “skifterat” nuk ishin nën petkun e favoritit arritën që të zhvillojnë një ndeshje feneomenale dhe arkëtuan pikë të plota.
Pjesa e parë në këtë takim ishte e barabartë dhe pa gola, ndërsa 45 minutëshi i dytë solli emocione të shumta.
Fillimisht, në pushim prej 15 minutave pati një përleshje fizike mes tifozërive të dyja ekipeve dhe për këtë u desh që takimi të shtyhej për disa minuta.

Për të parë golin e parë u desh të pritej deri në minutën e 66-të, kur i zakonshmi Gerad Progni e tundi rrjetën nga gjuajtja e lirë.
Gjërat për Dritën u vështirësuan shumë kur në minutën e 71-të Prince Balde u ndëshkua me karton të kuq.
Kur “intelektualët” u vërsulën me të gjitha forcat në sulm, Shend Kelmendi shënoi golin e dytë për Gjilanin edhe ndeshja mbaroi me rezultat 0-2.
Pas këtij takimi, Gjilani ngritet në pozitën e pestë me nëntë pikë, kurse Drita zbret në vendin e tretë.
Në ndeshjet tjera u shënuan këto rezultate:
Feronikeli 0-4 Prishtina
Malisheva 0-0 Ballkani /Shqip.com