Hoti me kritika për menaxhimin e krizës energjetike në Kosovë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar pushtetin lidhur me menaxhimin e krizës energjetike.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti thotë se tatimi në pronë është rritur, TVSH-ja dhe akciza nuk janë larguar.
“Në krizën më të madhe në shumë vite, pagat ulen për një numër të të punësuarve, e për disa rriten shumë pak. Shtesa në pagë nga përvoja e punës përgjysmohet nga 0.5% në 0.25% për çdo vit përvojë. Tatimi në pronë rritet. Tatimi në Vlerën e Shtuar në mallra ushqimore nuk ulet, as akciza në naftë nuk ulet”, shkroi Hoti.
Hoti thotë se edhe investimet publike janë në nivelin më të ulët e po ashtu buxheti zhvlerësohet nga inflacioni.
“Investimet publike bien në nivelin më të ulët historikisht. Në buxhet teprojnë mjetet, të cilat zhvlerësohen nga inflacioni. Subvencionohen kompanitë e sektorit të energjisë dhe bizneset, por askush nuk e di si dhe sa mjete të buxhetit janë shpenzuar”.
Tutje, Hoti thotë se edhe në Kuvend vijnë marrëveshje për kredi për ndihma sociale.
/Shqip.com