Ekonomi

Shqipëri, Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë për kontrollin e çmimeve të shportës

Gjykata Kushtetuese, Shqipëri
Gjykata Kushtetuese, Shqipëri

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën që të shfuqizojë aktin normativ me të cilin qeveria miratoi në mars të vitit të shkuar ngritjen e një bordi të përbashkët mes përfaqësuesve të saj dhe të biznesit për “transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”.

Vendimi u mor ndërsa në vend u regjistrua një rrije e fortë e çmimeve si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, dhe synon të frenonte abuzimet e mundshme të tregtarëve.

Por sipas Gjykatës Kushtetuese, aktet e miratuara nga qeveria “nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës”, i cili përcakton se “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme…”.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga deputetët e opozitës, të cilët duartrokitën vendimin e Gjykatës. Deputeti demokrat Gazmend Bardhi foli për “një tjetër betejë të fituar me qeverinë dhe oligarkët e saj”. Në postimin e tij në Facebook Bardhi shtoi se “vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese mbron interesin publik”.

/Shqip.com