Edhe sot do të ketë deklarata hyrëse në seancën gjyqësore ndaj Pjetër Shalës

Dje ka filluar gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës
Kjo është bërë e ditur nga DHSK-ja përmes një njoftimi për media dy ditë më parë duke thënë se edhe sot do të ketë deklarata hyrëse në seancën gjyqësore.
“Më 21 shkurt 2023, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) do të nisë gjykimi kundër z. Pjetër Shala. Deklaratat hyrëse janë planifikuar për 21 dhe 22 shkurt, duke filluar nga ora 9:30. Seancat mund të ndiqen në të tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte, përmes transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me 45 minuta vonesë”, thuhet në njoftimin e DHSK-së.
Sipas njoftimit deri më tani janë pranuar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima.
“Deri më tani janë pranuar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima dhe procesi i paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje si viktimë është ende i hapur. Personat të cilët mund të vërtetojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si rezultat i drejtpërdrejtë i një krimi të pretenduar në Aktakuzën e konfirmuar të korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu mund të përfshihen si personat që kanë pësuar dëm të drejtpërdrejtë ashtu edhe ata që kanë pësuar dëm jo të drejtpërdrejtë, për shembull, për shkak të lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”.
Versioni i parë i Aktakuzës kundër Pjetër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe Aktakuza e konfirmuar e korrigjuar u dorëzua më 1 nëntor 2021.
Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, dje ka thënë se Pjetër Shala ka qenë pjesë e një grupi në të cilin ishin të përfshirë Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi.
Sipas deklaratës hyrëse të tij në seancën gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, prokurori Wihting tha se këta persona kishin shkaktuar vdekjen e një personi duke e rrahur dhe duke e goditur me armë në këmbë.
Sipas aktakuzës së prezantuar nga prokurori, Pjetër Shala së bashku me grupin e tij kanë keqtrajtuar në mënyrë jo njerëzore të paktën 18 viktima në qendrën e ndalimit në ish-fabrikën e metalit në Kukës ku njëra prej këtyre viktimave edhe është vrarë.
“Aktakuza e çështjes gjyqësore pretendon se ky grup kriminal që përfshinë edhe të akuzuarin, kanë ndaluar dhe keqtrajtuar në mënyrë barbare të paktën 18 viktima në qendrën e ndalimit që ndodhej brenda territorit të ish-fabrikës së Metalit në Kukës. Ky grup kriminal duke përfshirë edhe të akuzuarin ka vrarë njërin prej këtyre viktimave në natën e 4 apo 5 qershorit 1999 apo përafërishtë atë kohë”.
Ndalimi i viktimave sipas aktakuzës është bërë për shkak se grupi i Pjetër Shalës i kishte cilësuar si të afërt me serbët e që kanë merituar dënim e poshtërim.
Krahas kësaj, prokurori Whiting përshkroi edhe aktet që sipas aktakuzës ka kryer Pjetër Shala dhe grupi i tij ndaj viktimave të pretenduara.
“Ai ka marrë pjesë në rrahjen e vazhdueshme të të burgosurve në këtë pikë ndalimi që përfshinte rrahjen me shufra hekuri dhe të mprehta ku si rezultat i këtyre rrahjeve viktimat janë mbuluar me gjak të shoqëruar me thyerje të eshtrave dhe nuk kanë qenë në gjendje të ecin me këmbët e tyre. I akuzuar ka qenë pjesë e një grupi që kanë vrarë një person të cilin e kanë rrahur në mënyrë të vazhdueshme dhe të ashpër si dhe duke e gjuajtur me armë në këmbë duke bërë që ai të kishte hemorragji ku u shkaktua edhe vdekja e tij”.
Ndërsa, kujtojmë se në fillim të seancës gjyqësore, Pjetër Shala kishte deklaruar se e ka kuptuar aktakuzën, por që është deklaruar i pafajshëm dhe duke thënë se të gjitha këto janë trillime dhe gënjeshtra.
/Shqip.com